3 truket që e bëjnë sallonin të duket më i madh (pa çarë kokën fare!)

Le ta pranojmë, salloni është qendra e universit shtëpiak. Aty çlodhesh, shikon seriale, scrollon në celular apo kalon kohë me shoqërinë. Por shpesh, sidomos në apartamente të vogla, duket më i mbyllur dhe i ngarkuar se ç'është në të vërtetë. Dhe këtu fillon loja: si ta bësh të duket më i madh, pa ndërruar shtëpi apo pa harxhuar një thes me lekë?
E vërteta është që s'të duhen ndryshime dramatike. Lëvizje të vogla me dritën, ngjyrat dhe vendosjen e mobiljeve mund ta transformojnë plotësisht ndjesinë e hapësirës. Këto janë ato "hile dizajni" që përdorin edhe vetë interior designer-at, për ta bërë një dhomë të duket më e hapur, më e ndriçuar dhe më komode, pa prekur asnjë milimetër nga sipërfaqja. Më e mira? Mund t'i bësh vetë, lehtësisht dhe me pak kosto, brenda pak orësh. Dhe rezultati? Një sallon që duket sikur u zmadhua si me magji ✨
1. Drita, arma jote sekrete
Drita është truku numër një për të zmadhuar vizualisht një hapësirë. Hapini perdet, zgjidhni pëlhura të lehta dhe lëreni dritën natyrale të "pushtojë" dhomën. Nëse s'keni shumë dritë natyrale, shto llamba në qoshe ose ndriçues që "përhapen" në hapësirë. Një pasqyrë përballë dritares mund të dyfishojë ndjesinë e dritës dhe hapësirës. Seriozisht, provojeni!
2. Thoni "jo" mobiljeve të rënda dhe të stërmëdha
Harrojini ata kolltukët gjigantë dhe mobiljet voluminoze që bllokojnë hapësirën. Zgjidhni divanë me këmbë të holla, tavolina xhami ose minimaliste dhe, përgjithësisht, mobilje që lënë "ajër" poshtë. Sa më shumë dysheme të duket, aq më e madhe duket dhoma. Dhe diçka tjetër e rëndësishme: më pak gjëra = më shumë stil.
3. Ngjyrat e hapura dhe organizimi top-notch
Ngjyrat e hapura si e bardha, bezha dhe ngjyrat pastel e bëjnë sallonin të duket më i ndriçuar dhe më i madh. Paralelisht, organizimi luan një rol kolosal. Kur hapësira është e rregullt dhe pa "zhurmë vizuale", duket automatikisht më e gjerë. Kutitë e magazinimit dhe raftet inteligjente janë "game changer" – mund të fshehin gjithçka pa e ngarkuar ambientin.
Në fund të fundit, s'të duhet as remont, as një buxhet stratosferik për ta transformuar shtëpinë. Pak dritë, zgjedhje me mend të mobiljeve dhe pak rregull janë të mjaftueshme për ta kthyer sallonin tënd në një hapësirë që duket më e madhe, më e ndriçuar dhe shumë më stil. Kush tha që nuk bëhet me pak e me stil?
