Sabrina Carpenter dhe Margaret Qualley i bashkohen Tom Holland-it në filmin për Fred Astaire

A ka muaj që kalon pa na njoftuar ndonjë film biografik të ri? Jo, s'ka. Por ky i fundit na kapi syrin menjëherë, jo vetëm për temën, por edhe për kastin. Imagjinoni: Sabrina Carpenter dhe Margaret Qualley po i bashkohen Tom Holland-it në filmin e ardhshëm biografik të Paul King-ut për artistin dhe performuesin legjendar Fred Astaire. Kjo pa diskutim e bën edhe më të arsyeshme që të jemi super të emocionuar për këtë projekt!
Filmi do t'i kushtohet aktorit amerikan, tap-kërcimtarit, këngëtarit, magjistarit dhe kompozitorit Fred Astaire. E drejtuar nga Paul King, regjisori pas sukseseve si “Paddington” dhe “Wonka”, dhe prodhuar nga Amy Pascal, ky film ende nuk ka një titull, por ja që ka një kast aktorësh me pesë yje.
Aktori britanik Tom Holland, i njohur për rolin e tij në “Spider-Man”, por edhe për “The Odyssey”, do të marrë rolin kryesor. Kush e ka ndjekur Tom-in e di që ai e nisi karrierën në muzikal, me “Billy Elliot” në Victoria Palace Theatre të Londrës, dhe ka aftësi të vërteta kërcimi. Ai madje ka thënë se ka ndërmend t'i bëjë vetë sekuencat e kërcimit. Përveç portretizimit të artistit legjendar, partneri i Zendaya-s do të jetë edhe producent i filmit. Xhirimet janë planifikuar të nisin në fillim të vitit 2027.
Ylli i popit, Sabrina Carpenter, do të luajë partneren e Astaire në ekran, Ginger Rogers. Me look-un e saj retro, talentin për komedi dhe aftësitë në kërcim, Sabrina duket se do të jetë zgjedhja perfekte për këtë rol. Pastaj kemi Margaret Qualley, e cila do të portretizojë motrën e madhe të Astaire, Adele Astaire, një aktore, kërcimtare dhe këngëtare amerikane. Ylli i “The Maid” dhe “The Substance” më parë u shfaq së bashku me Sabrina Carpenter në videoklipin muzikor të këngëtares “House Tour” në vitin 2026. Pra, kimin e kanë gati!
Skenari, i cili do të shkruhet bashkë nga Steven Levenson, bazohet në librin e Kathleen Riley, “The Astaires: Fred & Adele”. Paul King, regjisori dhe bashkë-skenaristi i filmit biografik, ka bërë një deklaratë ku shprehej: Jam i emocionuar dhe i nderuar që më është besuar t'i tregoj historinë e Fred Astaire dhe partneres së tij origjinale të kërcimit – motrës së tij të madhe Adele – në ekranin e madh.
Edhe pse ky film i Paul King-ut për Fred Astaire nuk ka ende një datë publikimi, po themi që lista e gjërave për të cilat mezi presim po rritet me shpejtësi. Me këtë kast yjesh, s'kemi dyshim që do të jetë një spektakël. Kush është gati për pak shkëlqim dhe sharm retro?
