Hyrja e shtëpisë: Bëje të flasë (dhe t'i mbajë çelësat!)

Kur kthehesh në shtëpi pas një dite të gjatë, gjëja e parë që të pret është hyrja. E njëjta gjë vlen edhe për miqtë që të vizitojnë. Pse, atëherë, ta lësh pas dore këtë hapësirë kaq të rëndësishme?
Një konsolë e vogël apo një tavolinë hyrjeje mund të transformohet në pikën më të bukur dhe stil plot të shtëpisë, mjafton ta shfrytëzosh siç duhet. Sekreti është të kombinosh estetikën me praktikën. S'ka nevojë ta mbushësh me plot gjëra të rastësishme. Me vetëm pak elementë të zgjedhur me kujdes, mund të krijosh një hyrje super të organizuar, që të ndihmon në jetën e përditshme dhe duket e kuruar në të njëjtën kohë.
Bëje hyrjen tënde kartvizitën e shtëpisë!
Nëse ke tashmë një konsolë apo tavolinë në hyrje, ke bazën perfekte për të krijuar një skenar të kuruar dhe stil. Një ndriçues unik, një pasqyrë, një vazo me lule, ca libra apo një aksesor dekorativ i bukur mjaftojnë për të ndryshuar komplet pamjen e hapësirës. Qëllimi nuk është ta mbushësh çdo milimetër, por të gjesh balancën e duhur mes stilit dhe funksionalitetit.
Fundja, hyrja nuk duhet të jetë vetëm e bukur. Ajo mund të të ndihmojë shumë çdo ditë, duke ofruar një vend specifik për çelësat, postën, çantën, apo pse jo, edhe për këpucët. Me zgjedhjet e duhura, mund të fshehësh çdo rrëmujë, të shfrytëzosh çdo cep dhe të krijosh një rezultat që duket i kuruar pa u lodhur shumë. Dhe kush nuk do ta këtë?! Ne e duam rendin, por edhe stilin.
Ngjyra & bimë: Kur thekset flasin vetë
Një vepër arti me ngjyra të forta ose një ndriçues që bie në sy mund ta ndryshojë menjëherë pamjen e hyrjes tënde. Nëse elementët e tjerë janë neutralë, mjaftojnë edhe dy detaje plot ngjyra. Për shembull, lëre konsolën me dru natyral dhe shto një vazo shumëngjyrëshe sipër, ose një pikturë "statement" në mur. Kështu, hapësira merr karakter pa u dukur e tepruar.
Pak gjelbërim e bën ambientin të duket më i freskët dhe më plot jetë. Një bimë e madhe ose një vazo e vogël me degë mund të shërbejë si një dekor natyral i mrekullueshëm. Nëse ke hapësirë, vendos një bimë të gjatë pranë konsolës. Nëse hapësira është e kufizuar, një bimë e vogël mbi tavolinë ose një vazo me degë është mjaftueshme.
Edhe nëse baza është neutrale, shto ngjyra përmes vazove, librave, qirinjve ose aksesorëve të vegjël. Një vazo jeshile, një objekt i artë, një qeramikë në ngjyrë pjeshke ose disa libra me kopertina të bukura mund të krijojnë një rezultat shumë më interesant. Mos ki frikë të luash me tonalitetet; është koha për të shkëlqyer me detajet.
Prints & minimalizëm: Guxo me stil ose zgjidh qetësinë
Nëse i dashuron printet, hyrja është vendi ideal për t'i provuar. Një mur me letër-muri të veçantë mund të kombinohet me një pasqyrë të thjeshtë dhe një konsolë minimaliste. Një letër-muri me lule, forma gjeometrike ose motive më unike mund të bëhet sfondi i konsolës tënde. Kombinoje me një mobilje më të thjeshtë dhe një pasqyrë të rrumbullakët që hapësira të mos duket e stërmbushur.
Për një rezultat më minimalist, orientoje në tone të buta si bezhë, e bardhë, blu e çelët dhe krem. Kështu, hyrja jote merr një atmosferë të qetë, gati si në spa. Një vazo e madhe, një qiri, një pasqyrë dhe një ndriçues i vogël mund të jenë të mjaftueshëm. Rezultati do të jetë elegant dhe i qetë, ndërsa hyrja do të marrë një ndjesi më "hoteli", shumë "fancy"!
Kutitë dekorative janë perfekte për të fshehur çelësat, postën dhe sendet e vogla që përndryshe do të mbaronin mbi konsolë. Një ose dy kuti dekorative mbi konsolë mund ta zgjidhin problemin njëherë e mirë. Kështu, ke një vend specifik për sendet e vogla të përditshme, pa sakrifikuar aspak estetikën. Kjo quhet zgjidhje "smart"!
Në fund të fundit, hyrja e shtëpisë tënde nuk ka nevojë për shumë gjëra për t'u dukur e bukur. Ca zgjedhje të kujdesshme, një element që e do vërtet dhe pak organizim mund të ndryshojnë totalisht ndjesinë e hapësirës. Pavarësisht nëse preferon estetikën minimale apo i do ngjyrat, bimët dhe dekoret më personale, e rëndësishmja është të krijosh një kënd që të bën të ndihesh mirë sa herë kthehesh në shtëpi. Sepse hyrja është "mirëseardhja" e parë e shtëpisë tënde dhe meriton të jetë super, apo jo?
