7 ushqime që i hamë gjithmonë: Ja si t'u japësh një tjetër dimension!

Ka disa ushqime që janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë, aq sa i marrim si të mirëqena. I kemi ngrënë dhjetëra herë, i kemi gatuar në të njëjtën mënyrë dhe ndoshta besojmë se i dimë të gjitha sekretet e tyre. Por, sinqerisht, kush nuk lodhet duke ngrënë gjithmonë të njëjtën gjë? Me një ndryshim të vogël tek përbërësit, mënyra e gatimit apo edhe servirja, një pjatë e njohur mund të marrë karakter krejt tjetër. Nga patatet dhe vezët, te makaronat dhe pula, ka ide super të thjeshta që mund ta bëjnë tryezën e përditshme shumë më interesante.
Ktheji pjatat e zakonshme në yje të tryezës!
Patatet: Nëse patatet janë shoqëruesja jote e preferuar, ka ardhur koha t'i shpëtosh nga rutina! Mund t'i pjekësh në furrë derisa të bëhen super të krokanta, pastaj t'i kombinosh me erëza, paprika, hudhra dhe pak djathë. Rezultati? Një “comfort food” që të bën të thuash “wow”, por me shumë më shumë shije dhe teksturë.
Tosti: Tosti nuk ka pse të jetë vetëm një zgjidhje emergjence kur s'ke kohë. Harroje! Provo kombinime të ndryshme: bukë integrale, avokado, vezë dhe domate; ose djathë, gjel deti dhe perime. Me pak fantazi, tosti i thjeshtë mund të shndërrohet në një vakt super të shijshëm dhe që të mban ngopur. Pse jo?
Makaronat: Makaronat janë ndër ushqimet më të thjeshta për t'u gatuar, por kjo nuk do të thotë që duhet të përfundojnë gjithmonë me të njëjtën salcë të zakonshme, të themi të drejtën, pak monotone. Jo, jo! Mund të shtosh perime të pjekura, pesto, kërpudha ose një djathë tjetër, dhe ja ku ke një pjatë që duket krejt e re. Sekreti qëndron tek ndryshimet e vogla që e bëjnë recetën e njohur shumë më interesante dhe plot stil.
Veza: E zier, e skuqur apo omletë – veza mund të jetë shumë më tepër se një mëngjes i shpejtë. Kombinoje me bukë të thekur, domate, avokado ose perime dhe ke një pjatë që mund të shërbehet lehtësisht në çdo orë të ditës. Kush tha që veza është vetëm për mëngjes?
Pula: Pula është ndoshta një nga përbërësit më të zakonshëm në kuzhinë, por shpesh gatuhet në të njëjtën mënyrë monotone. Epo, STOP! Një marinadë me limon, mustardë dhe erëza mund ta ndryshojë plotësisht shijen e saj, ndërsa shtimi i perimeve ose një salce jogurti të freskët mund ta bëjë pjatën akoma më të veçantë.
Orizi i mbetur: Mos e nënvlerëso orizin e gatuar që të ka ngelur. Seriozisht! Me perime, vezë dhe pak salcë mund ta shndërrosh në një pjatë të shpejtë me karakter krejt tjetër. Kjo është një nga ato idetë që vërteton se një ushqim i mbetur mund të fitojë një jetë të dytë
Kosi: Nëse je mësuar ta hash kosin vetëm me mjaltë dhe fruta, ka ende shumë opsione të tjera. Shumë! Mund ta përdorësh si bazë për një salcë të freskët, ta kombinosh me kastravec dhe erëza ose ta shtosh në një tas me fruta, fruta të thata dhe tërshërë. Kështu, një përbërës i thjeshtë mund të bëhet pjesë e vakteve si të ëmbla, ashtu edhe të kripura. Kush e dinte?
Nuk ka nevojë të kërkosh çdo ditë një recetë krejt të re për ta bërë tryezën tënde më interesante. Ndonjëherë, mjafton të marrësh një përbërës që e ke tashmë në kuzhinë dhe ta shohësh me një sy tjetër. Ndrysho një kombinim, provo një erëz të re ose një mënyrë tjetër gatimi, dhe me siguri do të befasohesh nga rezultati. Pra, kur do t'i japësh pjatave të tua pak “refresh”?
