Yll Limani: “Uniforma është përgjegjësi”, por kush na mbron?!

Këngëtari kosovar Yll Limani ka ngritur zërin publikisht për situatën e tensionuar në Tiranë. Ai ka dënuar me forcë dhunën që u raportua ndaj studentëve protestues dhe ka kërkuar që institucionet të mos bëjnë veshin shurdh, por t’i dëgjojnë kërkesat e tyre.
Përmes disa postimeve në Instagram, artisti shprehu qartë shqetësimin e tij për pamjet që po qarkullojnë, duke mos kursyer kritikat për veprimet e forcave të rendit ndaj të rinjve. “Është tmerr me i pa pamjet prej Tiranës. Të rinj që sulmohen prej atyre që duhet me i mbrojt”, shkroi Limani, duke vënë gishtin aty ku dhemb. Ai shprehu gjithashtu mbështetjen e tij për studentët.
Limani theksoi se protestat nuk janë thjesht një zhurmë në rrugë, por një sinjal i qartë pakënaqësish që kërkojnë vëmendje dhe përgjigje konkrete nga institucionet. Sipas tij, është e rëndësishme të kuptohen arsyet që i shtynë të rinjtë të dalin, shqetësimet me të cilat përballen dhe ndryshimet që kërkojnë.
Ai shtoi se të rinjtë nuk duhet të konsiderohen vetëm si "e ardhmja" e vendit, por si qytetarë të mirëfilltë, zëri i të cilëve meriton të dëgjohet dhe të ketë peshë qysh sot. Sipas tij, nuk mjafton t’u thuhet të rinjve se janë e ardhmja nëse kur flasin nuk i dëgjon kush; duhet marrë seriozisht dhe t’u jepen arsye të besojnë se mund ta ndërtojnë jetën në vendin e tyre.
Në fund të reagimit të tij, artisti i drejtoi një mesazh të qartë edhe Policisë. Ai u kujtoi pjesëtarëve të saj përgjegjësinë e rëndë që mbart uniforma dhe rëndësinë e garantimit të sigurisë së qytetarëve. “Uniforma osht përgjegjësi. Qytetari duhet me u ni ma i sigurt kur e sheh policinë”, u shpreh Limani. Ai shtoi se çdo pjesëtar i forcave të rendit duhet të jetë i vetëdijshëm se përballë ka të rinj me ëndrra, shqetësime dhe familje që presin kthimin e tyre në shtëpi.
Reagimi i Yll Limanit vjen në një kohë kur protestat studentore në Tiranë dhe përplasjet e raportuara kanë ndezur debate të forta mbi mënyrën si trajtohen protestuesit dhe përgjegjësinë e institucioneve për të siguruar ushtrimin paqësor të së drejtës së protestës. Përmes mesazheve të tij, Yll Limani ka bërë thirrje që shqetësimet e studentëve të merren seriozisht, duke theksuar dialogun, respektimin e të drejtave dhe, mbi të gjitha, shmangien e dhunës. A do t’i dëgjojë dikush?
