"Live me Luizin" bën pushim (të detyruar?) këtë javë, Top Channel ndryshon planin!

Spektakli i Luiz Ejllit nuk do të transmetohet këtë të premte në Top Channel. Në vend të tij, televizioni do të shfaqë një edicion special të emisionit investigativ dhe analitik të drejtuar nga gazetarja Grida Duma.
Shkak për këtë ndryshim të papritur janë bërë zhvillimet e fundit politike dhe protestat në Shqipëri, të cilat, le të jemi të sinqertë, po mbajnë gjithë vëmendjen e publikut. Vetë televizioni ka njoftuar se ka vendosur t'i japë përparësi mbulimit informativ të situatës aktuale, duke pezulluar përkohësisht programin argëtues. Edicioni special do të përqendrohet te zhvillimet e fundit në vend, protestat dhe analiza e situatës politike.
Emisioni nisi transmetimin më 2 tetor, duke shënuar një etapë të re në karrierën televizive të Luiz Ejllit, fitues i edicionit të dytë të Big Brother VIP Albania. Në premierën e tij, Luizi mirëpriti emra të njohur si Alketa Vejsiu, Eli Fara, Manjola Nallbani, Sinan Vllasaliu dhe Gjergj Leka. Formati i tij synon të ndërthurë intervistat me personazhe publike, performancat muzikore dhe humorin, duke ofruar argëtim çdo të premte.
Edicioni i dytë, ai i transmetuar më 9 tetor, solli momente që tërhoqën vëmendje, përfshirë rrëfimin e këngëtares Albërie Hadërgjonaj dhe ribashkimin e aktorëve të komedisë Pallati 176.
Ndryshimi është i përkohshëm. Sipas njoftimit të televizionit, emisioni pritet të rikthehet në transmetim të premten e ardhshme.
