Ben Affleck kthehet me thrillerin e ri “Animals” në Netflix: Kush fshihet pas rrëmbimit që shkon çorbë?

Ben Affleck, emër i njohur i Hollivudit, që në 2010 na dha një nga thrillerat më të mirë, “The Town”, tani vjen me një tjetër projekt intrigues në Netflix, “Animals”. Jo vetëm e drejton, por edhe luan rolin kryesor, atë të Mark Kimball, një avokat dhe kandidat për kryebashkiak në Los Anxhelos, djali i të cilit rrëmbehet.
Filmi nis me atë që duket si një histori klasike rrëmbimi. Por, siç e do zhanri, gjërat komplikohen aq shumë saqë në mes të filmit, bie pika! Rrëmbyesit e ngatërruar kanë kapur djalin e gabuar, Hectorin (Jacob Estrada), djalin e punëtorit të Kimball. Për fat të mirë, Hector kthehet tek prindërit e tij, por kush fshihet pas kësaj rrëmuje dhe pse ndodhi kështu?
Më shumë sesa thjesht një rrëmbim
Affleck ka theksuar se filmi flet më shumë për identitetet tona performative. Siç i tha Entertainment Weekly, Jetojmë në një botë që gjithnjë e më shumë na kërkon të jetojmë një jetë të shfaqur, dhe “Animals” eksploron çfarë ndodh kur maska bie, kur nuk mund të përballojmë më të performojmë identitetet tona. Kjo do të thotë që identiteti i rrëmbyesve s'ka aq rëndësi sa reagimet e Kimball dhe gruas së tij, Abigail Kimball (Kerry Washington), kur detyrohen të përballen me të vërteta të fshehura rreth tyre. Ama, për të qenë të sinqertë, filmi është thriller, dhe ne duam të dimë kush e bëri këtë gjëmë, pavarësisht filozofisë!
Hakmarrja e biznesmenëve të vegjël
Në fund, del se pas gjithë kësaj fshihet një grup pronarësh biznesesh të vogla me inat të madh. Po pse ky inat? Duhet ta ndjekësh me sy e mendje për të kuptuar motivet e tyre. “Animals” ndoshta nuk do të mbahet mend si një ndër më të mirët e Ben Affleck, pjesërisht sepse nuk duket shumë i interesuar të shpjegojë rrëmbimin thelbësor. Por, po t'i bashkosh pak skenat, del diçka.
Filmi hapet me një video fushate për Mark Kimball, e cila zbulon se para se të kandidonte për kryebashkiak, ai drejtonte firmën e tij ligjore. Firma e tij, Kimball Law, paraqiti Aktin e Veprimit Mjedisor si pjesë e një lufte për ujë të pijshëm të pastër në Los Anxhelos. Por, ky akt pati pasoja shkatërruese për bizneset e vogla në zonën e San Fernando Valley, të cilën Kimball dhe firma e tij e kishin në shënjestër.
Pas videos së fushatës, shohim pamje ogurzeza të një biznesi të mbyllur, ku një figurë misterioze është rrethuar nga fatura të prapambetura, njoftime dëbimi, dhe një kërkesë për divorc. Marrrësi i këtij njoftimi, James Bureaux, duket të jetë i njëjti njeri, biznesi i të cilit ishte mbyllur si pasojë e Aktit Mjedisor. Jeta iu shkatërrua dhe gruaja i kërkoi divorcin. Një skenë tjetër tregon artikuj lajmesh ku citoheshin pronarë biznesesh të vegla, të prekur në mënyrë të ngjashme, të cilët u detyruan të mbyllnin dyqanet për shkak të aktit. Pra, James Bureaux duket të jetë lideri i një grupi rrëmbyesish, pronarë të tjerë që humbën gjithçka për shkak të Aktit Mjedisor të Kimball. E gjithë kjo gjëmë e rrëmbimit ishte rezultat i një hakmarrjeje kundër Kimball.
Fundi i papritur dhe fytyra e vërtetë
“Animals” mbyllet me Mark Kimball që çon një çantë me para te sistemi i kullimit të lumit Los Anxhelos. Atje, shfaqen dy rrëmbyes dhe menjëherë qëllohen nga Rand, i luajtur nga Chris Gann. Por pastaj Rand vritet nga lideri i rrëmbyesve, James Bureaux, i cili tenton të vrasë Kimball dhe Hectorin para se të qëllohet nga babai i Hectorit, Ramon (Luis Gerardo Méndez).
Vetëm në këtë skenë finale shohim mirë Bureaux-n, i cili luhet nga Mark Gerald. Fansat e Taylor Sheridan mund ta njohin Gerald nga “Yellowstone”, ku luajti Grant Horton, apo nga seriali i thriller-it aksion “Lioness”, ku luajti Cody J, ose Goose, por ka qenë edhe në shumë projekte të tjera si “Daredevil” i Netflix, “The Shield” dhe “Avatar: The Way of Water”.
Bashkëpunëtorët e Bureaux-t nuk emërtohen kurrë dhe në kredite shkruhen thjesht si “rrëmbyes”. Ata luhen nga Craig Bexley Jr., Zack Duhame dhe Brett Sheerin. Mesa duket edhe ata humbën bizneset si Bureaux, por filmi s'e qartëson plotësisht. Në thelb, Bureaux, pasi ka humbur gjithçka, përfshirë gruan, na jep një pamje të zymtë të asaj që mund t'i ndodhte Kimballit po të kishte humbur zgjedhjet për kryebashkiak.
