MAD ShqipëriaMuzikë, VIP-a dhe kulturë pop
Argëtim

Agron Llakaj sqaron polemikën për sketçin e protestës: S'jemi kundër rrymës!

Pas aktorit Irgen Çela, i cili tentoi të shpjegonte se sketçi i “Portokallisë” nuk kishte për qëllim të ofendonte protestuesit, tashmë ka folur edhe vetë drejtuesi i programit, Agron Llakaj.

Llakaj, komediant, producent dhe prezantues televiziv, i cili është kthyer në “Portokalli” pas gjashtëmbëdhjetë vitesh, shpjegoi se personazhet e sjella në sketç ishin frymëzuar nga situata dhe njerëz që, sipas tij, tashmë ishin bërë viralë gjatë protestave.

Ata personazhe që ne ngritëm në protestën tonë në ‘Portokalli’ janë personazhe që u bënë viralë. U bënë meme aty për aty në protestë. Edhe me njerëz që abuzuan me protestën duke sjellë skena qesharake. Kjo ishte dhe s’ka qëllim tjetër, tha Llakaj. Ai mohoi kritikat se sketçi kishte fyer protestuesit, duke theksuar se ky nuk ishte qëllimi i humorit të tyre.

Ne nuk shajmë askënd, nuk fyejmë askënd, as protestën dhe atë që ajo përfaqëson. Jemi artistë humori, prodhojmë humor duke përcjellë mesazhe, u shpreh ai. Llakaj madje iu referua një thënieje të Konicës për të shpjeguar pikëpamjen e tij mbi lirinë e shprehjes dhe satirën: Konica thotë: Ti ke çdo të drejtë për lirinë që ke, por ske pse ofendohesh nga liria ime’.

Sipas Llakajt, “Portokallia” prej vitesh e ka pasur subjekt realitetin shqiptar në të gjitha format, duke mos iu shmangur as politikës e as problemeve sociale. Ai shprehet se kemi marrë jetën tonë, Shqipërinë tonë, fenomenet politike dhe sociale dhe i kemi pasqyruar sipas perspektivës sonë.

Në këtë frymë, Llakaj argumenton se satira e programit nuk duhet parë si qëndrim në mbështetje apo kundër një partie të caktuar. Qeshni, merreni jetën më sportivisht. Ne s’jemi një zë kundër rrymës, përfundoi ai. Epo, mirëpo a e kapin të gjithë “sportivisht” këtë lloj humori?

Me informacione nga burime publike, Wikipedia, YouTube, Instagram dhe TikTok.