Irgen Çela sqaron për dramën me skeçin e “Portokallisë”: S’e kishim me protestuesit e vërtetë!

Pas një morie reagimesh në rrjetet sociale për një nga skeçet e episodit të fundit të “Portokallisë”, aktori Irgen Çela ka sqaruar publikisht situatën përmes një videoje në profilin e tij personal në Instagram.
Skeçi, që trajtonte protestën qytetare që po zhvillohet prej muajsh në Tiranë, solli në skenë protestues, pankarta dhe situata humoristike të improvizuara. Por, pas transmetimit, një pjesë e publikut e kritikoi, duke thënë se humori ishte drejtuar kundër vetë protestuesve dhe kauzës së tyre.
Çela shpjegon se kjo video vjen pikërisht për t’iu përgjigjur këtyre reagimeve. Aktori thekson se vetë ka marrë pjesë në protestë dhe mbështet të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Po e bëj këtë video sepse pas episodit të fundit të ‘Portokallisë’ pashë që shumë njerëz u ndien të ofenduar nga një numër protestash që u bënë te ‘Portokallia’ dhe unë e ndjej detyrim moral, duke qenë se unë vetë kam marrë pjesë në protestë dhe mbështes protestën, t’ua bëj këtë sqarim, shprehet ai.
Sipas Çelës, skeçi nuk kishte për qëllim të tallet apo të ofendojë qytetarët që dalin në protestë për çështje që prekin jetën e tyre dhe të familjeve të tyre. Ai përmend specifikisht qytetarët që protestojnë për një të ardhme më të mirë për fëmijët, për pensionet e prindërve, sistemin shëndetësor dhe sigurinë.
Ai numër s’ka për qëllim të ofendojë apo të tallet me asnjë protestues që del për të protestuar për të drejtat e veta, thekson Çela. Ai vazhdon të shpjegojë se, sipas tij, shënjestra e satirës ishte një kategori tjetër sjelljesh brenda protestave: njerëzit që, në pikëpamjen e tij, i përdorin protestat për të rritur numrin e ndjekësve në rrjetet sociale, për t’u bërë të famshëm, ose për të shfryrë inatin personal.
Qëllimi i atij numri është të satirizojë atë pjesë të njerëzve që shkojnë në protestë për të rritur numrin e followersave në Instagram, që shkojnë në protestë thjesht për t’u bërë të famshëm, që shkojnë në protestë dhe e përdorin protestën thjesht si një mënyrë për të nxjerrë të gjithë urrejtjen dhe inatet e tyre personale, shpjegon aktori.
Reagimi i Çelës vjen pasi skeçi ndezi një debat të gjerë në rrjetet sociale. Disa ndjekës e akuzuan programin se kishte kaluar nga satira për çështje politike dhe sociale, te tallja me vetë qytetarët protestues. U sqaruam tani, apo do vazhdojë drama?
