MAD ShqipëriaMuzikë, VIP-a dhe kulturë pop
Stil jetese

A je bërë njësh me telefonin? Ja si t'i shpëtosh varësisë pa e bërë dramë!

Pexels

Zgjohesh në mëngjes dhe e para gjë që bën është të kontrollosh njoftimet, Instagramin, TikTok-un apo e-mailet? Dhe pastaj, para se të flesh, me shumë mundësi përfundon prapë duke shfletuar pa asnjë arsye. Dhe ja, pa e kuptuar, orë të tëra të ditës humbin përpara një ekrani. Më e çuditshmja? Shpeshherë as nuk e mban mend saktësisht çfarë pe!

Përdorimi i vazhdueshëm i telefonit nuk ndikon vetëm te produktiviteti apo përqendrimi, por edhe te humori, gjumi dhe nevoja jote për të qenë vërtet prezent në momentet e përditshmërisë. Fatmirësisht, nuk duhet të marrësh vendime drastike apo të bësh "digital detox" të plotë për ta ndryshuar këtë gjë. Mjaftojnë disa lëvizje të vogla për të filluar të shkëputesh nga ekrani më lehtë nga sa mendon.

Ja pesë mënyra për të marrë sërish kontrollin mbi telefonin tënd, pa u bërë si Tarzani në xhungël:

  • Lëre telefonin mënjanë në mëngjes: Të hapësh rrjetet sociale sapo zgjohesh, ta mbush menjëherë mendjen me informacione, imazhe dhe stres. Provoje të lësh telefonin mënjanë për 20-30 minutat e para të ditës. Një kafe pa ekran, pak muzikë apo edhe një mëngjes i qetë mund ta ndryshojnë krejtësisht humorin tënd. Po, po, provoje! Nuk të ha prapanica!
  • Vendos limit kohor për aplikacionet: Nëse hyn për pak minuta në TikTok dhe në fund humbet një orë, nuk je i vetmi! Shumica e telefonave tani kanë funksionin "screen time", ku mund të vendosësh një kohë të caktuar përdorimi për çdo aplikacion. Dhe po, funksionon shumë më tepër nga sa mendon.
  • Çaktivizo njoftimet e panevojshme: Nuk ka nevojë që telefoni yt të ndizet çdo dy minuta. Sa më shumë njoftime të marrësh, aq më shpesh hyn në procesin për ta kontrolluar shpejt e shpejt. Mbaj vetëm ato vërtet të rëndësishmet dhe do të shohësh menjëherë ndryshim në përqendrim dhe qetësi. Fiks ajo që na duhet!
  • Bëj pushime të shkurtra pa telefon: Edhe disa minuta pa telefon mund të funksionojnë si çlirues stresi. Një vakt pa shfletim, një shëtitje pa kufje apo pak kohë para gjumit pa rrjete sociale ndihmojnë shumë më tepër nga sa duket. Dhe mos u çudit, s'të humbet asgjë serioze!
  • Lëre telefonin larg krevatit: Shumë njerëz flenë me telefonin pranë jastëkut dhe në fund përfundojnë duke shfletuar deri vonë. Nëse e lë pak më larg nga krevati, do të tundohesh më pak të bësh shfletim të pafund natën dhe gjumi yt do të përmirësohet dukshëm. Po e di, është sfidë, por ia vlen!

E vërteta është që telefoni me vështirësi do të largohet nga përditshmëria jonë. Por kjo nuk do të thotë që ai duhet të kontrollojë gjithë kohën tënde. Disa zakone më të vetëdijshme mjaftojnë për të ndjerë sërish se ti po e përdor teknologjinë – dhe jo ajo ty. E pra, kujt po i shkruan mesazh tani?

Me informacione nga burime publike, Wikipedia, YouTube, Instagram dhe TikTok.