MAD ShqipëriaMuzikë, VIP-a dhe kulturë pop
Stil jetese

Para takimit të parë, i bën 'Google' apo jo? Dilema që të lë pa fjalë

Pexels

Ke planifikuar atë takimin e parë, keni shkëmbyer ca mesazhe dhe tani po pret momentin kur do takoheni live. E di emrin, ke parë ca foto, dhe ndoshta ke një ide të përgjithshme për punën ose interesat e tij/saj. Dhe diku midis emocionit dhe ankthit, vjen ai mendimi i pashmangshëm, që sot është thuajse i detyrueshëm: a t'i bësh një "Google" këtij/kësaj? Po, po, fiks! Me pak klikime, mund të gjesh informacione profesionale, profile publike, postime të vjetra, ose çdo gjë tjetër që ka lënë të disponueshme online.

Nga njëra anë, mund të ndihesh sikur po bën diçka super logjike, sidomos kur do takosh për herë të parë dikë që e ke njohur online. Në epokën e aplikacioneve të takimeve dhe njohjeve që nisin nga ekrani i telefonit, është më se normale të duash të ndihesh i sigurt/e sigurt para se të takohesh me dikë. Nëse ke shkëmbyer mesazhe me një person dhe keni vendosur të dilni në takim, është shumë e mundshme që në një moment të tundohesh të shkruash emrin e tij/saj në Google, thjesht për të marrë një ide më të mirë se kush është. Dhe kjo s'është domosdoshmërisht gjë e keqe. Një kontroll bazik mund të të japë më shumë siguri, sidomos kur bëhet fjalë për dikë që e ke njohur ekskluzivisht online dhe s'keni ndonjë mik të përbashkët apo kontakt personal të mëparshëm.

Ku ndalon siguria dhe nis tepria?

Ama, pikërisht këtu gjendet dilema e vërtetë: kur një kërkim në Google është një lëvizje e arsyeshme dhe kur fillon të të heqë spontanitetin e takimit të parë? Është një vijë e hollë midis dëshirës për siguri dhe ekzagjerimit që mund të ndikojë seriozisht në mënyrën si do ta shohësh personin që do të takosh. Një kërkim i thjeshtë me emrin ose një profil publik profesional mund të të ndihmojë të vërtetosh që të dhënat bazike që të ka dhënë janë reale dhe s'ka "surpriza" të tipit fake profile. Por, fiks këtu ndalon! S'ka pse të kthehesh në një detektiv online dhe të fillosh të gërmosh çdo informacion të mundshëm për jetën e tij/saj. Ka një ndryshim të madh midis dëshirës për t'u ndier i sigurt/e sigurt dhe përpjekjes për të njohur të gjithë të kaluarën e dikujt para se të uleni në të njëjtën tavolinë.

Nëse nis nga emri dhe përfundon duke parë foto udhëtimesh që i ka bërë para dhjetë vitesh (po, po, aq thellë!), postime të vjetra, komente miqsh dhe informacione që lidhen me jetën e tij/saj personale, atëherë mbase e ke kaluar limitin dhe po e ekzagjeron paksa. Dhe problemi nuk është vetëm privatësia e tjetrit, por edhe mënyra si funksionon mendja jote. Sa më shumë gjëra sheh, aq më shumë konkluzione fillon të formosh, edhe pse në të vërtetë nuk ke informacion të mjaftueshëm për të ditur nëse ato që mendon i korrespondojnë realitetit.

Rreziku i "karakterit imagjinar" online

Një foto e vjetër mund të të krijojë një përshtypje specifike që s'ka lidhje me realitetin e sotëm. Një koment i shkruar para shumë vitesh mund të të bëjë të besosh se di diçka për karakterin e tij/saj. Edhe profesioni apo njerëzit me të cilët shoqërohet mund të të çojnë në përfundime arbitrare dhe super të shpejta. Dhe kështu, para se takimi i parë të ndodhë fare, ke filluar të krijosh në kokën tënde një "karakter" imagjinar që mund të jetë shumë larg personit real që ke përballë. Kjo është pak gjynah, apo jo?

Ky është ndoshta dhe disavantazhi më i madh i kërkimit të tepërt para një njohjeje të parë. Ti mendon se po e njeh tjetrin, ndërsa në të vërtetë po mëson vetëm ato që ai/ajo ka zgjedhur t'i lërë publike online. Dhe këto nuk janë domosdoshmërisht të mjaftueshme për të kuptuar kush është ai/ajo realisht. Mund të shohësh që i pëlqejnë udhëtimet dhe të nxjerrësh përfundimin se është aventurier/e, Mund të mësosh që punon në një fushë të caktuar dhe të vendosësh menjëherë që është ambicioz/e,. Mund të shohësh foto me miqtë dhe të supozosh se është shumë shoqëror/e,. Të gjitha këto mund të jenë të vërteta, por mund të mos kenë asnjë lidhje me imazhin që do të formosh kur ta takosh live, e kur të njohësh personin real.

Sepse njohja e vërtetë nis kur e lë ekranin mënjanë dhe fokusohesh te njeriu para teje. Takimi i parë ka magjinë e vet pikërisht sepse nuk i di të gjitha përgjigjet. Ka gjëra që do thuhen spontanisht, histori që do të lindin nga biseda dhe reagime të vogla që s'mund të shfaqen në një profil apo një foto. Është kjo ndjesia e zbulimit, e papriturës, që e bën një takim të parë ndryshe nga çdo kërkim online. Më mirë shijo misterin e fillimit, sesa të shkatërrosh gjithçka me një "research" të thelluar, apo jo?

Me informacione nga burime publike, Wikipedia, YouTube, Instagram dhe TikTok.