Johnny Depp dhe Penélope Cruz ribashkohen në 'Day Drinker'

Johnny Depp po kthehet me një fuqi të re në Hollywood, dhe këtë herë s'po kthehet vetëm. Trailer-i i filmit Day Drinker sapo ra dhe zbulon ribashkimin e tij me Penélope Cruz, në një triller hakmarrjeje nga regjisori Marc Webb. Kush nuk e njeh Webb-in? Është njeri i cili na ka dhënë 500 Days of Summer dhe dy filmat The Amazing Spider-Man, kështu që presim një histori të rrëfyer bukur e plot ndjesi.
Filmi është prodhim i Lionsgate dhe historia sillet rreth një banakiereje në një jaht privat — Madelyn Cline — e cila ndeshet me një mysafir misterioz në bord të luajtur nga Depp. Të dy gjenden shpejt të ngatërruar me një figurë kriminale të luajtur nga Cruz, në mënyra që askush nuk i priste. Depp shfaqet me theks irlandez në trailer dhe pyet: A nuk do të donit ndonjëherë të silleshit keq? Dhe kush prej nesh nuk do?!
Hera e tretë s'është rastësi
Kjo është hera e tretë që Depp dhe Cruz punojnë bashkë, pas Pirates of the Caribbean: On Stranger Tides dhe Blow. Kjo dyshe ka një kimi të provuar në ekran dhe fakti që po ribashkohen tregon se kur diçka funksionon, ia vlen ta riprovosh. Fansat e të dyve kanë arsye të jenë të lumtur.
Sa për Johnny-n si emër në industri, ai ka marrë çmime të rëndësishme përgjatë karrierës, përfshirë një Golden Globe dhe një Screen Actors Guild Award, plus tre nominime për Oscar. Filmat e tij kanë mbledhur mbi 10.8 miliardë dollarë në të gjithë botën — shifër që flet vetë.
Një "double dose" Depp, por me pak durim
Rikthimi i Johnny Depp nuk kufizohet vetëm tek Day Drinker. Pak muaj më parë ra edhe trailer-i i filmit tjetër të tij, Ebenezer — një version i ri i A Christmas Carol nga regjisori Ti West — që del në kinema më 13 nëntor. Kjo do të thotë se brenda pak muajsh do të kemi dy projekte të mëdha me Depp, gjë që nuk ndodhte prej kohësh.
Pika mbi i është që producenti Jerry Bruckheimer zbuloi në gusht se Depp është në bisedime aktive për t'u kthyer në rolin e tij më të famshëm, Kapiten Jack Sparrow, në Pirates 6. Bruckheimer tha se jani duke punuar mbi një skenar dhe shpresojnë ta bëjnë realitet. Pra, mundësia ekziston, edhe pse nuk ka asgjë të konfirmuar ende.
Megjithatë, ka një detaj që na bën të çuditemi: ndërsa Ebenezer del shpejt, Day Drinker do të shfaqet në kinema vetëm më 26 mars 2027. Deri atëherë do të kemi kohë të lexojmë të gjitha librat që kemi lënë pezull, të mësojmë një gjuhë të re dhe ndoshta edhe të rregullojmë atë sirtar që kemi lënë çrregull prej vitesh. Durim si mos më parë!
Nga vitet e vështira te projektet e reja
Rruga e Depp drejt këtij rikthimi nuk ka qenë e lehtë. Pas akuzave për abuzim në vitin 2016 dhe gjyqit për shpifje në vitin 2022, të dy rrjedhur nga martesa e tij me Amber Heard, karriera e tij pësoi një periudhë largimi nga vëmendja e Hollywood-it. Ishte një kohë plot tituj negativë dhe spekulime mbi të ardhmen e tij profesionale.
Por ja që projektet po grumbullohen njëri pas tjetrit. Day Drinker, Ebenezer dhe bisedat për Pirates 6 tregojnë se industria po hap sërish dyer. Dhe kjo, pavarësisht gjithçkaje, është lajm interesant — jo vetëm për fansat, por edhe për ata që janë kuriozë të shohin se si evoluon kjo histori.
Me dy filma në horizont dhe bisedimet për rikthimin si Jack Sparrow, Johnny Depp po e vulos këtë kapitull të ri me metodë. A do të bëni durim deri në 2027-ën për Day Drinker? Ose ndoshta Ebenezer në nëntor do t'ju mbajë të kënaqur për tani?
