Don Xhoni, “Sexy Mama” dhe monumenti që ndezi flakë debatin në Maqedoninë e Veriut

Reperi shqiptar Don Xhoni është sërish në qendër të vëmendjes, por këtë herë jo vetëm për ritmet e tij, por për një polemikë të madhe që ka shpërthyer në Maqedoninë e Veriut. Shkak është bërë videoklipi i këngës së tij “Sexy Mama”, ku disa prej skenave janë xhiruar në ambientet e monumentit “Makedonium” në Krushevë.
Ky kompleks memorial është një nga më të rëndësishmit në vend, Aty gjendet edhe varri i Nikola Karev, një figurë kyçe e kryengritjes së Ilindenit në vitin 1903. Përdorimi i një vendi me kaq peshë historike dhe kombëtare për një videoklip muzikor, aq më tepër me natyrën komerciale të “Sexy Mama”, ka ngjallur reagime të forta. Një skenë specifike ku Don Xhoni shfaq gishtin e mesit, u komentua gjerësisht nga mediat maqedonase, duke shtuar benzinë në zjarrin e debatit.
Si u dha leja? Një mister me 500 euro!
Në qendër të polemikave është vendosur edhe mënyra sesi u autorizua filmimi në këtë monument, i cili është pjesë e trashëgimisë kulturore të mbrojtur. Miha Ojaklieski, drejtori i Muzeut Historik të Krushevës, deklaroi se ekipi i produksionit kishte kërkuar leje dhe se hapësira ishte vënë në dispozicion për një tarifë rreth 500 euro, për një periudhë pesë deri në gjashtë orë. Ai shtoi se skenat ku shfaqen shtretër dhe valle nuk ishin xhiruar në “Makedonium”, por në vendndodhje të tjera.
Por, menjëherë pas kësaj deklarate, u shfaq një tjetër që shtoi edhe më shumë pikëpyetje rreth procedurës. Vesela Çestoeva, Drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, tha për mediat maqedonase se institucioni që ajo drejton nuk kishte paraqitur asnjë kërkesë për përdorimin e monumentit për këtë videoklip. Deklarata e saj shtoi pikëpyetje rreth procedurës.
Don Xhoni: S’kam nevojë për dramë!
Pas reagimeve të shumta, Don Xhoni vendosi të flasë publikisht, duke dhënë versionin e tij përmes Instagramit. Shoh që ‘Sexy Mama’ është kthyer në një debat të madh në Maqedoninë e Veriut. Për sqarim, as unë dhe as ekipi im nuk kishim ndonjë qëllim për të provokuar, ofenduar apo zhvlerësuar ndonjë shtet apo simbol, shkroi reperi. Ai shpjegoi se përzgjedhja e vendndodhjes ishte pjesë e konceptit të videoklipit dhe ishte bërë nga produksioni.
Unë bëj muzikë. Bëj art. Bëj filma të shkurtër nëpërmjet videoklipeve të mia. Asnjë tendencë, asnjë provokim. Vetëm një skenar, një vendndodhje dhe një projekt artistik, tha Don Xhoni, duke u përpjekur të qartësojë pozicionin e tij. Ai gjithashtu refuzoi idenë se qëllimi i projektit ishte krijimi i një situate të tillë për të tërhequr vëmendje. Më besoni, marr më shumë vëmendje nga sa dua. Nuk kam nevojë për dramë, përfundoi ai. Aman, kush s’e do pak dramë në botën e showbizit, apo jo? Po me sa duket, Don Xhonit i dalin punët vetë!
Opinioni i ndarë dhe rikthimi i debatit
Debati ka vazhduar me tone të ndezura në media dhe rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut. Një pjesë e kritikëve e kanë konsideruar të papërshtatshme përdorimin e një hapësire memoriale për një produksion muzikor komercial. Nga ana tjetër, një pjesë tjetër e publikut e ka parë reagimin ndaj videoklipit si të tepruar dhe të pajustifikuar.
Është interesante se videoklipi ishte xhiruar në shkurt, ndërsa kënga “Sexy Mama” u publikua më 2 korrik. Por polemika e vërtetë mbi përdorimin e “Makedonium” u kthye në vëmendjen e publikut vetëm disa muaj pas publikimit të këngës, duke treguar se disa drama marrin kohën e tyre për t’u pjekur dhe për të shpërthyer. Deri kur do të vazhdojë kjo polemikë, a thua do të ketë të tjera reagime nga institucionet, apo do të shuhet si shumë gjëra të tjera? Vetëm koha do të tregojë, por një gjë është e sigurt: Don Xhoni prapë na surprizoi!
