Bleona Qereti kthehet me hitet e vjetra, po përgatit dy albume vizuale!

Bleona Qereti është gati të hapë një kapitull të ri në karrierën e saj, duke u kthyer aty ku nisi gjithçka: te repertori shqiptar që e bëri një nga emrat më të njohur në muzikën tonë. Dhe jo, nuk po flasim për një "comeback" të thjeshtë, por për një shuplakë të vërtetë nostalgjie, sepse Bleona ka nisur punën për ri-regjistrimin dhe ri-orkestrimin e plot 20 këngëve! Këto bomba muzikore do të vijnë si pjesë e dy albumeve vizuale, kështu që bëhuni gati për festë.
Projekti bombastik nis me “ERA”, një version krejt i ri i një prej këngëve të saj të hershme. Përmes këtij kthimi, Bleona synon t'i japë repertorit të vjetër një tjetër trajtim, duke e përshtatur me standardet dhe vizionin artistik që ajo ka sot.
Katalogu i saj në shqip ishte hequr më parë nga platformat dixhitale me vendimin e saj, në kohën kur Bleona po fokusohej të ndërtonte karrierë në tregun ndërkombëtar me muzikë në anglisht. Por, ja ku jemi, pas disa vitesh ajo po na kthen një pjesë shumë të rëndësishme të historisë së saj muzikore. Megjithatë, kthimi te këngët shqiptare nuk do të thotë që Bleona po largohet nga muzika ndërkombëtare, jo, jo! Në paralelisht, ajo po sjell material të ri në anglisht, përfshirë këngët "RIDE IT" dhe "BOY GONE BAD", ndërsa pritet edhe një EP i prodhuar nga producenti i famshëm Timbaland. Si duket, Bleona do t'i ketë të gjitha, njëkohësisht!
Ky projekt i ri bashkon dy periudha të rëndësishme të udhëtimit të saj artistik. Në Shqipëri, Bleona ka lançuar plot tetë albume në gjuhën shqipe, para se të kalonte në tregun amerikan, ku ndërtoi një karrierë ndërkombëtare. Aty arriti edhe një rezultat të rëndësishëm, duke u renditur e para në "Billboard Dance Club Songs" me këngën "I Don't Need Your Love". Përveç muzikës, Bleona ka qenë e përfshirë edhe në projekte kinematografike, duke treguar që talenti i saj nuk njeh kufij.
Ky kthim te repertori i vjetër duket të shkojë përtej thjesht nostalgjisë për Bleonën. Këto 20 këngë të ripunuara do të shërbejnë si një urë lidhëse mes fillimeve të saj në muzikën shqiptare dhe përvojës së fituar ndër vite në skenën ndërkombëtare, duke u dhënë një jetë tjetër këngëve me të cilat nisi rrugëtimin. Mendojmë se kjo është një lëvizje super e zgjuar!
Sa prej jush mezi po prisni të dëgjoni "Era"-n e re dhe hitet e tjera?!
