Rina Balaj s'i ha me ujë: I ktheu përgjigje fansit që i 'përmendi' Istogun!

Reagimet e Rina Balajt për cilësinë e ushqimit në restorantet e Prishtinës kanë shkaktuar sërish diskutim, këtë herë duke u kthyer në një dramë personale me një ndjekës. Pas kritikave të saj për raportin çmim-cilësi në gastronominë e kryeqytetit, një koment i veçantë e provokoi këngëtaren të fliste prapë.
Në një video të fundit, Rina iu drejtua drejtpërdrejt një mesazhi ku shkruhej: “Rina, dje prej Istogut e sot po na del kritike ndërkombëtare e gastronomisë. S’është problemi te ushqimi i Prishtinës, po te mendjemadhësia jote. Mos e ngatërro famën në TikTok.” Epo, ky ndjekës duket se e kishte harruar që me Rina-n s'ka lolosje!
Artistja theksoi se ndihet krenare me prejardhjen e saj dhe se fakti që vjen nga Istogu s’ka asnjë lidhje me të drejtën për të pasur një mendim mbi cilësinë e ushqimit. Ajo sqaroi se kritikat nuk kishin për qëllim të sulmonin Prishtinën, por të ngrinin një debat të shëndetshëm për standardin e produkteve dhe çmimet që paguajmë ne konsumatorët.
Rina nuk u ndal me kaq, duke folur edhe për potencialin bujqësor të Kosovës. Sipas saj, kemi toka pjellore ku mund të prodhohen më shumë fruta dhe perime vendore, në vend që të importojmë gjithçka. Ajo ngriti si problem edhe shndërrimin e tokave bujqësore në hapësira ndërtimi, dhe në këtë pjesë jemi plotësisht dakord. Këngëtarja theksoi se nuk pretendoi kurrë se në Prishtinë s'hahet mirë. Ajo vetë ka pasion për gatimin dhe ushqimin cilësor, madje njeh edhe kuzhinierë super të mirë.
Por, problemi që ajo vë në pah është se ndonjëherë çmimet nuk justifikojnë atë që të vjen në pjatë. Përmendi si shembull një pjatë mishi 30 euro, duke thënë se një çmim i tillë duhet të shoqërohet me cilësi dhe eksperiencë që e justifikon atë. Konsumatorët kanë të drejtë të kërkojnë më shumë, sidomos kur paguajnë shifra të majme. Në fund, Rina qartësoi se përmendja e Istogut si argument kundër kritikës së saj, sikur ata që vijnë nga qytete më të vogla janë më pak të informuar apo të qytetëruar, nuk ka lidhje me argumentin e saj për cilësinë e ushqimit.
