A po na e vjedh telefoni dashurinë? Epo, ‘phubbing’-u është më real se kurrë!

Ke qenë ndonjëherë përballë partnerit, duke u munduar t’i flasësh, ndërsa ai ose ajo s’e heqin dot syrin nga ekrani i telefonit? Apo, të themi të drejtën, e ke kapur veten duke bërë fiks të njëjtën gjë? Në epokën ku komunikimi s’pushon kurrë, smartfoni është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë, dhe bashkë me rrjetet sociale, ka ndryshuar goxha mënyrën si njihemi, flirtojmë dhe krijojmë lidhje.
Lidhja e vazhdueshme mund t’i afrojë njerëzit, ama në të njëjtën kohë mund të krijojë një distancë të çuditshme brenda të njëjtës dhomë. Sepse tashmë s’ka nevojë të jetë vërtet një person i tretë që të ndjesh se diçka po futet mes teje dhe partnerit – ndonjëherë mjafton një ekran.
“Phubbing”: Fjala magjike që po na “snobbon” partnerët
Përdorimi i celularit gjatë një bisede mund të duket si një zakon i pafajshëm, por për shumë njerëz është burim bezdisjeje dhe zhgënjimi. Shifrat flasin vetë: 51% e njerëzve ndihen se partneri i tyre shpërqendrohet lehtë nga celulari gjatë bisedave. Kjo s’është pak! Gjithashtu, 40% bezdisen nga koha që tjetri kalon para ekranit, ndërsa 34% kanë pranuar se kanë kontrolluar celularin e partnerit pa lejen e tij. O zot, kush s’e ka bërë të paktën një herë?
Dhe ja ku shfaqet i famshmi “phubbing”, një term i krijuar nga fjalët angleze “phone” (telefon) dhe “snubbing” (snobim, injorim). Ai përshkruan momentin kur injoron personin që ke përballë, sepse ke gjithë vëmendjen te celulari. E pafajshme? Aspak! Kjo është një pamje shumë e njohur, e njëjta si ajo çifti që ulet për të ngrënë, por njëri i kthen mesazhe, tjetri shfleton Instagramin dhe biseda ndërpritet çdo pak minuta. Sa më shumë bëhet zakon kjo sjellje, aq më e lehtë është të krijohet ndjesia se partneri s’është vërtet i pranishëm.
Kur ekrani bëhet i treti mes jush
Ndikimi i teknologjisë në marrëdhënie nuk kufizohet vetëm te koha që kalojmë duke parë ekranin. Rrjetet sociale kanë krijuar një hapësirë krejt të re për komunikim, flirt dhe kërkim konfirmimi. Sidomos te brezat e rinj, ekspertët e marrëdhënieve vërejnë probleme që s’janë domosdoshmërisht forma të një tradhtie klasike. Një flirtim i vazhdueshëm me mesazhe, një bisedë me ngarkesë emocionale apo nevoja për konfirmim të vazhdueshëm nga persona të tretë, mund të krijojnë probleme po aq të forta brenda një lidhjeje.
Ana e vështirë është se s’ka një rregull universal që vlen për të gjitha çiftet. Atë që ti e konsideron të pafajshme, partneri mund ta përjetojë si shkelje besimi. Prandaj, kufijtë digjitalë po marrin një rëndësi të veçantë. Sa personale mund të jenë mesazhet me një mik? Është ok të flirtohet në rrjetet sociale? Kur një “like” është thjesht një “like” dhe kur bëhet shkak për xhelozi? Përgjigjet s’janë të njëjta për të gjithë, por biseda brenda marrëdhënies po bëhet gjithnjë e më e domosdoshme. Po ti, si mendon?
Po, ka shpresë! Edhe rom-com-at ndihmojnë (pak)
Mes gjithë kësaj realiteti digjital ekziston edhe një kthim interesant në të shkuarën. Komeditë romantike, ato që i njohim si rom-coms, duket se mund të kenë shërbyer për shumë të rinj si një mënyrë tjetër për të menduar për marrëdhëniet. Një studim i vitit 2013 tregoi se të rinjtë që ndiqnin filma të tillë me qëllim për të kuptuar më mirë lidhjet romantike, shfaqnin bindje më të theksuara romantike në krahasim me ata që i shikonin vetëm për argëtim. Sigurisht, një film s’mund të të mësojë si funksionon një marrëdhënie reale. Protagonistët e rom-coms zakonisht s’kanë llogari për të paguar, presion të përditshëm, nevoja të ndryshme, apo… njoftime nga Instagrami. Megjithatë, atmosfera optimiste e këtyre filmave mund të kontribuojë në uljen e stresit dhe forcimin e shoqërizimit.
Në fund të fundit, teknologjia s’është as armiku, as arsyeja pse një lidhje dështon. Çështja qëndron më shumë në mënyrën si zgjedh ta përdorësh. Një mesazh mund të të afrojë me partnerin kur jeni larg. Një video mund të bëhet shkak për një moment të përbashkët të qeshurash. Rrjetet sociale mund ta mbajnë gjallë komunikimin. Ama, kur ekrani fillon të zërë vendin e kontaktit real, atëherë balanca ndryshon.
Ndoshta sfida më e madhe për çiftet moderne nuk është t’i lënë telefonat mënjanë përgjithmonë, por të kujtojnë kur vlen më shumë të shohin njëri-tjetrin sesa ekranin. Sepse në një botë ku mund të jesh vazhdimisht i lidhur me të gjithë, sfida e vërtetë është të jesh vërtet i pranishëm me personin që ke përballë. A jemi gati ta fshehim telefonin ndonjëherë në xhep, apo jo?
