MAD ShqipëriaMuzikë, VIP-a dhe kulturë pop
Argëtim

VMAs 2026: Mbretëresha Madonna mori çmimet, por performanca i bëri gropën!

via Instagram @madonna

VMAs-të e 2026-ës kishin të gjitha premisat për të qenë një festë e madhe e pop kulturës, por në fund na lanë me një shije të hidhur dhe një pyetje: ku ishin të gjithë?!

Madonna, u kthye në skenën e VMAs pas plot 23 vitesh, duke hapur mbrëmjen. Me 13 nominime, më shumë se kushdo tjetër, ajo duhej të kishte ndezur gjithçka. Por, ja që s'ndodhi ashtu! Performanca e saj me Bring Your Love bashkë me Sabrina Carpenter dhe më pas me Danceteria Afterhours me Charli XCX ishte... e ngurtë. E ulët në energji. Dhe, të jemi të sinqertë, play-back-u i dukshëm në disa momente na bëri të ngremë vetullat. Një rikthim që duhej të ishte epik nuk doli i tillë.

Megjithatë, ironia e fatit është se Madonna mori plot shtatë çmime, përfshirë atë të Artistit të Vitit, duke lënë pas emra si Taylor Swift dhe BTS, të cilët morën nga tre, apo Ariana Grande dhe Sabrina Carpenter me nga dy çmime. Kjo na bën të mendojmë, vallë performanca s'ka rëndësi sa çmimet apo...?

E gjithë nata dukej si një sallë pa yjet e mëdhenj. Shumë pak personazhe të njohur ishin të pranishëm, skena ishte plot me influencerë dhe personazhe të reality-show-ve. Edhe moderatori, Snoop Dogg, s'ia doli të ndizte atmosferën me batutat e tij që thjesht... u shuan pa lënë gjurmë. Dhoma ishte e qetë dhe zbrazëtia ndihej.

Por jo gjithçka ishte për t'u hedhur. RAYE me performancën e saj të I Will Overcome dhe Where Is My Husband! tregoi se zëri dhe prezenca skenike janë të mjaftueshme, pa nevojë për skenografi marramendëse. Kacey Musgraves me tributin e saj për Dolly Parton dhe këngën I Will Always Love You ishte e thjeshtë, e bukur dhe një nga momentet më të ndjera të mbrëmjes. Dhe pastaj erdhi Lisa, e cila shkoi në drejtimin e kundërt, duke dhënë një shfaqje të paharrueshme me SaWaDiKa, me balerinë plot energji dhe një produksion spektakolar. Kjo ishte ajo që duhet të ishte një performancë në VMAs!

Nga ana tjetër, fituesja e Artistit të Ri më të Mirë, Sienna Spiro, bëri debutimin e saj me Great Expectations. Zëri i saj ishte mbresëlënës, por performanca ishte e mërzitshme. Ajo qëndroi kryesisht e mbërthyer në qendër të skenës, dhe seti gjigand në formë pjate gramafoni ishte më i paharrueshëm se çdo gjë që bëri ajo.

Në fund të fundit, VMAs 2026 mbeten një mister. Me emra kaq të mëdhenj të nominuar, mungesa e energjisë, mungesa e yjeve dhe performancat e zbehta ishin një dështim i madh. MTV mezi e kishte promovuar ceremoninë, dhe shumë artistë të nominuar nuk ishin të pranishëm. Mungesa e energjisë ishte aq e theksuar sa performancat e pakta të suksesshme vetëm sa e theksuan më shumë boshllëkun. Çfarë s'shkonte vallë?

Me informacione nga burime publike, Wikipedia, YouTube, Instagram dhe TikTok.