MAD ShqipëriaMuzikë, VIP-a dhe kulturë pop
Argëtim

Monica Bellucci, 62 vjeç, zbulon sekretin e bukurisë: Ha mirë, pi mirë, bëj seks të mirë dhe qesh shumë

Monica Bellucci, një nga ikonat më të njohura të bukurisë në kinemanë botërore, ka festuar këtë javë ditëlindjen e 62-të dhe ka rrëfyer filozofinë e saj unike për jetën, ushqimin dhe plakjen, duke thyer çdo klishe.

Ajo ka zgjedhur të mos e kthejë kujdesin ndaj trupit në një betejë të përditshme me ushqimin apo moshën. Bellucci nuk ndjek dieta ekstreme dhe nuk e sheh stërvitjen intensive si një kusht për të ruajtur formën fizike, gjë që për ne, është një lehtësim i vërtetë!

Sekreti i bukurisë sipas Belluccit

Përgjatë viteve, aktorja ka treguar se preferon një stil jetese ku kënaqësitë e vogla nuk duhet të përjashtohen. Në një intervistë të vitit 2015, ajo e përmblodhi filozofinë e saj me një frazë që është bërë gati legjendë: Ha mirë, pi mirë, bëj seks të mirë dhe qesh shumë. Dhe kush mund ta kundërshtojë këtë recetë?! Pastiçeritë dhe ëmbëlsirat janë ndër ushqimet që ajo s'ka ndërmend t'i heqë nga menuja, ndërsa herë pas here shijon edhe një gotë verë. Edhe pse i kushton vëmendje dietës, Bellucci nuk beson te privimi i vazhdueshëm. Stili i saj i të ngrënit përshkruhet si i afërt me dietën mesdhetare, që përfshin fruta, perime, vaj ulliri, arra, avokado dhe burime proteinash pa yndyrë. Ajo i kushton vëmendje edhe sasisë së ushqimit, duke ruajtur një ekuilibër mes asaj që është e mirë për trupin dhe asaj që i pëlqen.

Rutinën e saj ushqimore e ndan në pesë vakte në ditë: tre vakte kryesore dhe dy ushqime të lehta. Edhe sa i përket aktivitetit fizik, aktorja nuk është fanse e stërvitjeve të tepërta. Pilates dhe noti janë zgjedhjet e saj, ndërsa në disa periudha ka treguar se noton disa herë në javë, për rreth 45 minuta. Stërvitem, sigurisht, pak, dhe mbaj dietë pak kur më duhet të punoj, por nuk jam e fiksuar pas saj, ka thënë ajo. Një frymëzim për të gjithë ne që s'duam të shpenzojmë gjithë ditën në palestër!

Pse t'i bësh ballë kohës kur mund ta shijosh?

Bellucci nuk e ka fshehur kurrë se format e saj trupore janë pjesë e natyrës së saj dhe se ajo nuk ka ndërmend të jetë shumë e dobët. Kam qenë gjithmonë një grua me forma, nuk kam qenë kurrë aq e hollë; kjo është natyra ime, shprehet aktorja. Por përtej ushqimit dhe kujdesit fizik, filozofia e saj më unike lidhet me mënyrën si e përjeton kalimin e viteve. Bellucci vazhdimisht ka kundërshtuar presionin që gratë të qëndrojnë përgjithmonë të reja dhe ka folur për dëshirën e saj për të përqafuar plakjen pa frikë. Dua të plakem në paqe. Kur je 50 apo 60 vjeç, nuk ke të njëjtat nevoja si kur je 20, thotë ajo. Sipas aktores, mosha nuk duhet parë si një humbje, por si një mundësi për të përjetuar jetën me më shumë pjekuri dhe qetësi. Plakja do të thotë që je me fat që je gjallë dhe ke ende një horizont përpara. Për më tepër, pjekuria sjell një dhuratë të mrekullueshme: shkëputjen.

Duke folur për standardet e pamjes në industrinë e filmit, ajo e ka shprehur me humor: Ose plakesh dhe e pranon procesin me dinjitet, ose vdes. Duke e parë në këtë mënyrë, unë do të preferoja të plakem një mijë herë. Kjo është vetëm Monica, që e kthen edhe debatin serioz në batutë!

Për Monica Belluccin, bukuria nuk është thjesht çështje pasqyre apo përpjekjeje për të ndalur kohën. Ajo është mbi atë se si një grua ndihet me veten, lirinë për të shijuar jetën dhe për të pranuar çdo fazë të saj. E kështu, me këtë filozofi, si të mos e duash këtë grua?!

Me informacione nga burime publike, Wikipedia, YouTube, Instagram dhe TikTok.