5 sekrete që bimët e shtëpisë të mos të 'vdesin' kurrë

Nëse ke bimë në shtëpi, e di mirë që nuk janë thjesht ca gjëra të gjelbra që mbushin qoshet. Ato janë "gjallesa" që ndryshojnë energjinë e shtëpisë dhe humorin tënd brenda ditës. Ama, sa lehtë i merr, aq lehtë i sheh edhe duke u tharë, pa kuptuar çfarë shkoi gabim.
E vërteta është që bimët nuk duan ekzagjerime, duan konsistencë, vëzhgim të saktë dhe disa lëvizje bazike që bëjnë diferencën e madhe. Këto pesë këshilla janë ajo që duhet të kuptosh.
1. Mos e harro dritën
Gabimi më i shpeshtë? Të përqendrohesh vetëm te uji. Në fakt, drita është po aq e rëndësishme. Vëzhgo ku bie drita natyrale në shtëpinën tënde dhe vendosi bimët sipas kësaj. Disa duan dritë direkte, të tjera preferojnë hijen. Nëse nuk e gjen vendin e duhur, sado t'i ujitësh, nuk do të lulëzojnë.
2. Mos i mbysni me dashuri (dhe ujë)
Ujitja e tepërt është një nga shkaqet kryesore që shkatërron bimët. Dheu duhet të arrijë të thahet paksa para ujitjes tjetër. Nëse sheh gjethe të zverdhura ose lagështi që nuk largohet, me shumë mundësi e ke tepruar.
3. Pastroju gjethet nga pluhuri
Pluhuri që mblidhet në gjethe nuk është vetëm çështje estetike. Përveç se duken keq, bima nuk "merr frymë" si duhet dhe nuk thith dritën. Një pastrim i butë me një leckë të lagur bën një diferencë të madhe në shëndetin e saj.
4. Lëvizi ndonjëherë
Bimët "mësohen" me vendin e tyre, por kjo nuk do të thotë që nuk duan ndryshime. Nëse sheh që nuk zhvillohen ose duken "të lodhura", provo t'i zhvendosësh në një vend tjetër me dritë ose temperaturë të ndryshme.
5. Dëgjoje bimën tënde
Çdo bimë të flet në mënyrën e saj. Gjethet e rëna, ngjyra ose zhvillimi i saj janë shenja për atë që i nevojitet. Sa më shumë ta vëzhgosh, aq më lehtë do të kuptosh çfarë duhet të ndryshosh para se të jetë tepër vonë.
Në fund të fundit, të kujdesesh për bimët e shtëpisë nuk është ndonjë gjë e vështirë. Është një lidhje e vogël e përditshme me hapësirën tënde. Dhe kur i sheh të lulëzojnë, kupton që ia vlente çdo minutë vëmendjeje që u dhe.
